
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me ata që ndezin zjarre në mënyrë të qëllimshme, duke theksuar se ligji aktual është i ashpër, por problemi qëndron tek zbatimi i tij nga gjyqësori.
“Ligji është i fortë që tani për ata që vënë zjarret. Gjykatësit dihet që nuk janë të gjithë në krye të detyrës, por do të shohim në këtë drejtim se çfarë do të bëjmë. Një gjë është pak, por e sigurt. Gegë Gega e ka thënë shumë mirë: Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara,” tha Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikave për menaxhimin e situatës së zjarreve, duke theksuar se në terren janë angazhuar mbi 10 mijë forca në të gjitha nivelet.
Sipas tij, kjo është një situatë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në vende shumë më të zhvilluara.
“Të gjithë kanë qenë në këmbë, 10 mijë e kusur forca janë përpjekur ditë e natë në të gjitha nivelet me flakët. Sikur të mos ishim në një kontekst më të gjerë dhe të mos kishim shtete të tjera në të njëjtin hall, mbase diku do të ishte përgjegjësi më e madhe. Por, kur dikush të dalë dhe të më thotë se pse këto shtete më të fuqishme nuk arrijnë dot t’i parandalojnë zjarret dhe kanë zjarre, atëherë mund të hyjmë e diskutojmë ndryshe.
Nuk është fjala për të hequr përgjegjësitë. Ne i dimë përparësitë, kufizimet, dimë çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë, i dimë të gjitha. Por që të flitet nga kafja apo çadra e plazhit për faktin që pati zjarre dhe të ngrihen akuza, të bëhen përqeshje se pse nuk u parandaluan, kjo është me të lënë pa tekst,” u shpreh Rama.