
Përhapja e zjarreve në disa zona të Shqipërisë ka nxjerrë në pah mungesat serioze në sistemin e emergjencave civile, veçanërisht në strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH). Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, ka theksuar se shumë bashki nuk kanë siguruar kushtet minimale për funksionimin e forcave zjarrfikëse, gjë që ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të reaguar në kohë ndaj emergjencave.
Cara ka nënvizuar se, edhe pse ligjet e vitit 2015 përcaktojnë përgjegjësinë e bashkive për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, shumë prej tyre nuk kanë marrë masat e duhura. Mjetet e pakta dhe mungesa e uniformave standarde rrezikojnë jo vetëm efikasitetin e operacioneve, por edhe sigurinë e vetë zjarrfikësve.
“Ka mangësi serioze në pajisjet dhe uniformat e zjarrfikësve. Uniformat nuk përputhen me standardet dhe nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme. Kjo është një çështje që kërkon reflektim dhe ndërhyrje të menjëhershme”, u shpreh Cara.