Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Zjarrfikësit çekë e sllovakë ndihmojnë në Tepelenë, ndërsa policia dhe ushtria rrethojnë News24


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas ndërhyrjes së forcave të huaja për shuarjen e zjarreve në Tepelenë dhe bllokimit të transmetimit të televizionit News24.

Në një postim në Facebook, Berisha e vlerësoi angazhimin e zjarrfikësve çekë dhe sllovakë si shembull solidariteti, duke akuzuar qeverinë se po përdor policinë dhe ushtrinë kundër medias.

“Zjarrfikës çek dhe sllovak në luftën kundër zjarreve në Tepelenë! Kurse policët dhe ushtarët e Ramaduros në luftë kundër News24! Mirënjohje vendeve mike dhe BE për solidaritetin e tyre. Dënoj me forcën më të madhe angazhimin e qindra forcave policore dhe ushtarake në akte kriminale antiligjore ndaj mediave,” shkroi ai.

Reagimi i Berishës pason ngjarjen e 9 gushtit, kur policia rrethoi godinën e News24, ndërpreu furnizimin me energji dhe bllokoi hyrjen e gazetarëve, duke e nxjerrë televizionin jashtë transmetimit për disa ditë.