
Nga 21 vatra zjarri të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, 14 prej tyre vijojnë ende aktive, ndërsa forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e flakëve, veçanërisht në zonat me terren të vështirë.
Në bashkinë Finiq, flakët kanë kaluar në fshatin Krane, në njësinë administrative Mesopotam, ku ndërhyrja është vështirësuar nga terreni i thyer. Në ndihmë të forcave në terren, janë angazhuar edhe avionë zjarrfikës, përfshirë avionin Kroat Canadair, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit.
Një vatër tjetër aktive ndodhet në vendin e quajtur “Rëzom”, pranë Tunelit të Skërficës, ku zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe pyje. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paaksesueshëm nga mjetet, ndërhyrja nga toka është e kufizuar, por punonjësit e administratës lokale po monitorojnë situatën.
Në fshatin Lukovë të Himarës, një tjetër vatër zjarri vijon të jetë aktive, ndërsa në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, flakët vazhdojnë të përfshijnë sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen e shuarjes së zjarrit.
Në fshatin Goriçan të bashkisë Dimal, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me ullinj, ku forcat zjarrfikëse dhe vullnetare janë në terren duke punuar për neutralizimin e flakëve.
Një vatër e vështirë për tu kontrolluar raportohet edhe në fshatin Zagore të bashkisë Malësi e Madhe, ku zjarri ka përfshirë zona me shkurre dhe barishte. Për shkak të terrenit të paaksesueshëm, ndërhyrja po bëhet kryesisht me pompa shpine.
Në qarqet e Tiranës, zjarri vijon në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshatin Ibë, si dhe në zonat Ballaj dhe Zhabjak të bashkisë Rrogozhinë. Në këto vende, era e fortë po vështirëson punën e forcave në terren, të cilat po mbështeten edhe nga një helikopter zjarrfikës i Forcave të Armatosura.
Në qarqet e Durrësit, Dibër dhe Lezhës situata raportohet nën kontroll, ndërsa forca të shumta operacionale dhe zjarrfikëse vazhdojnë patrullimin dhe monitorimin e zonave të rrezikuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Autoritetet theksojnë nevojën për kujdes maksimal në këto zona dhe bëjnë thirrje për bashkëpunim me banorët dhe vullnetarët për të mbështetur punën e forcave zjarrfikëse dhe të emergjencës.