
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndjekur nga afër operacionin për shuarjen e zjarreve në fshatrat Lofkënd dhe Drenie, në zonën mes Bashkisë së Patosit dhe asaj të Mallakastrës, ku një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur është përfshirë nga flakët.
Operacioni po vijon me ndërhyrje nga toka dhe ajri, ndërsa në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me emergjencat civile të qarkut Fier dhe shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione.
Në total, në operacion marrin pjesë:
2 automjete zjarrfikëse të FA-së
3 zjarrfikëse nga bashkia Patos
1 zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër
1 zjarrfikëse nga bashkia Lushnjë
1 zjarrfikëse nga bashkia Fier
2 mjete të kompanisë Albpetrol
1 zjarrfikëse nga bashkia Roskovec
Ministri Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e forcave të angazhuara, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit është një prioritet absolut.
Sipas autoriteteve, puna për neutralizimin e plotë të flakëve po vijon me intensitet dhe koordinim të ngushtë ndërinstitucional.