
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se Izraeli nuk do të aneksojë Rripin e Gazës, ndërsa qeveria përgatitet të votojë për një pushtim të plotë ushtarak të territorit.
Në një intervistë për mediat indiane, Netanyahu tha se pas mundjes së Hamasit, kontrolli i Gazës do t’i kalojë një autoriteti tranzitor dhe nuk do të vendoset një regjim ushtarak afatgjatë.
Ai theksoi se Izraeli ka për qëllim krijimin e një perimetri sigurie brenda Gazës për të parandaluar kërcënimet e ardhshme ndaj vendit dhe se konflikti mund të përfundojë “nesër” nëse Hamas heq armët dhe lironte të gjithë pengjet izraelitë pa kushte, sipas Ynet.
Nga ana tjetër, shefi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, pritet të rekomandojë kundër një pushtimi të plotë ushtarak, duke theksuar se trupat janë të lodhura pas gati dy vjetësh luftë të vazhdueshme.
Situata në Izrael dhe Gaza mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pasojat e mundshme të këtij konflikti.