
Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar të enjten dorëheqjen urgjente drejtorit të ri ekzekutiv të kompanisë Intel, Lip-Bu Tan, për shkak të lidhjeve të tij me kompanitë kineze, duke e cilësuar atë si “të përfshirë rëndë” dhe duke vënë në pikëpyetje strategjinë për të ringjallur gjigantin amerikan të çipave.
“Nuk ka zgjidhje tjetër për këtë problem,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke sjellë një rënie të menjëhershme të aksioneve të Intel me rreth 2% në tregun amerikan të mëngjesit.
Lip-Bu Tan, i cili mori drejtimin e Intel në muajin mars, është raportuar nga Reuters në prill se kishte investuar të paktën 200 milionë dollarë përmes fondeve të tij në qindra kompani kineze të prodhimit të avancuar dhe çipave, disa prej të cilave kanë lidhje me ushtrinë kineze, shkruan Reuters.
Kritikat e Trump erdhën një ditë pas raportimit të Reuters se senatori republikan Tom Cotton i kishte dërguar një letër kryetarit të bordit të Intel me pyetje për lidhjet e Tan me firmat kineze dhe për një rast penal që përfshinte ish-kompaninë e tij, Cadence Design.
Intel është aktualisht nën presion për shkak të humbjes së pozitës së saj në tregun global të çipave dhe përpjekjeve të saj për të rindërtuar kapacitetet prodhuese në SHBA, të cilat përfituan 8 miliardë dollarë subvencione në kuadër të ligjit CHIPS të vitit 2022.
Një zëdhënës i Intel u shpreh se “Intel dhe Tan janë thellësisht të përkushtuar ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe integritetit të rolit tonë në ekosistemin e mbrojtjes amerikane”.
Megjithatë, sipas dokumenteve të korporatave kineze, Tan përmes firmës së tij të kapitalit të sipërmarrjes, Walden, ka bashkëpronarësi në të paktën 20 fonde dhe kompani me entitete shtetërore kineze apo fonde të qeverive lokale teknologjike.
Një burim i njohur me çështjen i kishte thënë më herët Reuters se Tan ishte tërhequr nga disa prej këtyre investimeve, por pa dhënë hollësi.
Tan ka qenë gjithashtu CEO i Cadence Design nga viti 2008 deri në dhjetor 2021. Kjo kompani ishte përfshirë në shitjen e produkteve tek një universitet ushtarak kinez, i dyshuar për përfshirje në simulime të shpërthimeve bërthamore.
Në korrik, Cadence pranoi fajësinë dhe ra dakord të paguante mbi 140 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat federale.
“E gjithë kjo vjen për shkak të përfshirjes së Tan në industrinë e çipave në Kinë – por pikërisht kjo e bën atë edhe kaq të vlefshëm si CEO,” deklaroi analisti Anshel Sag nga Moor Insights & Strategy.
Intel është përballur me rënie të ndjeshme në treg: në vitin 2024 humbi mbi 60% të vlerës së aksioneve, ndërsa në vitin 2025, performanca e saj ka qenë thuajse e pandryshuar.
Aktualisht, vlera e tregut të kompanisë ka rënë nën 100 miliardë dollarë dhe fitimet janë në nivelin më të ulët historik.
Për të ndryshuar kursin, Tan ka paralajmëruar shkurtime masive të stafit deri në fund të vitit, afro 22%, ndërkohë që Intel ka sinjalizuar se mund të largohet krejtësisht nga prodhimi i çipave nëse nuk arrin të sigurojë një klient të madh strategjik.