Vendosni fjalën kyçe....

Deficiti tregtar i SHBA-së bie në nivelin më të ulët në gati dy vjet; hendeku me Kinën ngushtohet ndjeshëm


Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara u ngushtua me 16% në muajin qershor, duke arritur në 60.2 miliardë dollarë – niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Byroja e Analizës Ekonomike e Departamentit të Tregtisë.

Rënia e deficitit erdhi si pasojë e një tkurrjeje të fortë të importeve të mallrave konsumatore dhe përforcon ndikimin e tarifave të reja që ka vendosur presidenti Donald Trump ndaj mallrave të importuara.

Në të njëjtën kohë, hendeku tregtar me Kinën pësoi një rënie të thellë, duke u ngushtuar me një të tretën dhe duke zbritur në vetëm 9.5 miliardë dollarë , niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2004, sipas Reuters.

Kjo rënie vjen pas pesë muajve të njëpasnjëshëm me tendencë rënëse, gjatë të cilëve deficiti me Kinën ka rënë me gjithsej 22.2 miliardë dollarë, ose 70%.

Importet totale të SHBA-së ranë në 337.5 miliardë dollarë në qershor, nga 350.3 miliardë në maj, ndërsa eksportet ranë në 277.3 miliardë dollarë nga mbi 278 miliardë muajin e mëparshëm.

Sipas presidentit Trump, tarifat që ai ka vendosur po japin rezultat.

 “Po afrohemi shumë me një marrëveshje,” tha ai të martën në një intervistë për CNBC, duke shtuar: “Po shkojmë shumë mirë me Kinën.”

Vetëm javën e kaluar, presidenti njoftoi për valën e re të tarifave që pritet të hyjnë në fuqi më 7 gusht, me norma që variojnë nga 10% deri në 41%.

Sipas përllogaritjeve të “Budget Lab” në Universitetin Yale, tarifa mesatare e SHBA-së është rritur në 18.3%, niveli më i lartë që nga viti 1934, krahasuar me vetëm 2-3% para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Në qershor, importet nga Kina ranë në 18.9 miliardë dollarë – më i ulëti që nga viti 2009 – për shkak të tarifës ekzistuese 30% për shumicën e mallrave kineze dhe për shkak të pritshmërive për rritje të reja.

Negociatorët tregtarë të SHBA-së dhe Kinës u takuan javën e kaluar në Suedi, dhe kanë rekomanduar shtyrjen e afatit të 12 gushtit për skadimin e tarifës aktuale, në mënyrë që ajo të mos rikthehet në nivelin mbi 100%, ku ishte përkohësisht më herët këtë vit.