
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, i cili aktualisht shërben edhe si administrator i përkohshëm i NASA-s, pritet të shpallë këtë javë planet përshpejtuese për ndërtimin e një reaktori bërthamor në Hënë, veprimi i tij i parë madhor në krye të agjencisë hapësinore amerikane.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Politico, plani përcakton një afat konkret për vendosjen e reaktorit në sipërfaqen hënore dhe vjen në një kohë kur NASA përballet me shkurtime të mëdha buxhetore.
Ky hap thekson gjithashtu përpjekjet e Duffy-t për të pasur një rol aktiv në politikëbërjen e NASA-s, pavarësisht kritikave që ka marrë për mbajtjen e dy posteve njëkohësisht.
“Bëhet fjalë për të fituar garën e dytë hapësinore,” deklaroi një zyrtar i lartë i NASA-s, në kushte anonimiteti.
Presidenti Donald Trump e emëroi Duffy-n si administrator të përkohshëm të NASA-s në korrik, pasi tërhoqi papritur kandidaturën e miliarderit Jared Isaacman, mes mosmarrëveshjeve me aleatin e tij Elon Musk.
Në të njëjtën kohë, Duffy ka urdhëruar përshpejtimin e planit për zëvendësimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, një tjetër objektiv madhor i NASA-s.
Të dy këto iniciativa janë në përputhje me fokusin e administratës Trump për fluturimet hapësinore të drejtuara nga njeriu, për të cilat shtëpia e Bardhë ka propozuar rritje buxheti për vitin 2026, ndonëse janë propozuar shkurtime të thella për misionet shkencore, deri në 50 për qind.
Udhëzimi për reaktorin bërthamor i kërkon NASA-s të kërkojë propozime nga industria për ndërtimin e një reaktori 100 kilovatësh, që do të niset drejt Hënës deri në vitin 2030, një komponent kyç për kthimin e astronautëve amerikanë në Hënë. NASA më herët ka financuar kërkime për një reaktor 40 kilovatësh me objektiv nisjen në fillim të viteve 2030.
“Vendi i parë që ndërton një reaktor në Hënë mund të shpallë një zonë të ndaluar që do ta pengonte ndjeshëm SHBA-në”, thuhet në udhëzim, duke reflektuar shqetësimin për projektin e përbashkët kinez-rus në këtë fushë.
Po ashtu, NASA duhet të caktojë një drejtues të projektit dhe të kërkojë opinionin e industrisë brenda 60 ditëve. Nisma vjen në një kohë kur Kina planifikon të zbresë astronautët e saj në Hënë po në të njëjtën periudhë.
Ky projekt do të mbajë NASA-n aktive në zhvillimin e teknologjisë bërthamore, edhe pas anulimit së fundmi nga Pentagoni të një programi të përbashkët për motorë raketorë me energji bërthamore.
“Fakti që buxheti nuk e përfshiu prioritarisht shtytjen bërthamore, nuk do të thotë se kjo teknologji nuk është e vlefshme,” theksoi zyrtari i NASA-s.
Nga ana tjetër, udhëzimi për stacionin hapësinor synon të zëvendësojë Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, i cili po përballet me probleme të shumta, me një stacion të ri komercial.
NASA planifikon të ndajë kontrata për të paktën dy kompani brenda gjashtë muajve nga shpallja e kërkesës për propozime, me objektivin që një stacion i ri të jetë funksional në orbitë deri në vitin 2030. Në të kundërt, vetëm Kina do të ketë një stacion hapësinor të përhershëm.
Disa kompani si Axiom Space, Vast dhe Blue Origin janë të pozicionuara për të përmbushur këtë nevojë, megjithatë ligjvënësit kanë ngritur shqetësime në muajt e fundit se NASA nuk po lëviz mjaftueshëm shpejt për t’i mbështetur me fonde.