
Të paktën 54 migrantë kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me rreth 150 persona u përmbys pranë brigjeve të qytetit Shaqra në Jemen, thanë të dielën zyrtarë mjekësorë për agjencinë Reuters.
Sipas Al Jazeera, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur 54 trupa në plazhet dhe zonat përreth, ndërsa 12 persona të mbijetuar janë dërguar për trajtim në spitalin e Shaqras.
Sipas Abdul Qader Bajamil, drejtor i zyrës së shëndetësisë në Zanzibar, përpjekjet për kërkim vazhdojnë në kushte të vështira, ndërkohë që autoritetet po organizojnë varrimin e viktimave pranë qytetit.
Anija e fundosur transportonte kryesisht migrantë nga Etiopia dhe u përmbys në Detin Arabik për shkak të erërave të forta mbrëmjen e së shtunës.
Rruga e rrezikshme përmes Jemenit, një vend i shkatërruar nga lufta që prej vitit 2014, vazhdon të jetë një korridor i përdorur nga migrantët e Afrikës Lindore, pavarësisht rreziqeve dhe dhunës.
Shumë migrantë kalojnë Ngushticën Bab al-Mandab që ndan Xhibutin nga Jemeni – një rrugë e rëndësishme si për tregtinë ndërkombëtare drejt Kanalit të Suezit, ashtu edhe për migracionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin të OKB-së, dhjetëra mijëra migrantë mbeten të bllokuar në Jemen, duke u përballur me abuzim dhe shfrytëzim gjatë rrugëtimit të tyre drejt vendeve të Gjirit, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që mbajnë popullata të konsiderueshme të punëtorëve të huaj nga Afrika dhe Azia.