Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Orikum Flodian Plaku, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas, kishte me vete dy armë zjarri


Flodian Plaku, i njohur me nofkën “Pole Qorri” dhe me mbiemrat Mamo e Serjani, është arrestuar këtë të diel në një hotel në Orikum, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024 në Larushk të Fushë-Krujës.

Arrestimi është kryer nga Forcat Operacionale, në një operacion të drejtuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Gjatë ndalimit, Plakut iu gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri.

Në të njëjtin operacion, janë shoqëruar dhe ndaluar edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen ose me veprimtari kriminale.

Sipas burimeve mediatike, Flodian Plaku, 41 vjeç, jetonte mes Greqisë dhe Italisë dhe është një nga tre atentatorët e dyshuar për ekzekutimin e ish-policit Gentjan Bejtja, i cili u vra me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij, teksa ujiste perimet në kopsht dhe në prani të familjarëve.

Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje dhe është pjesë e një lufte të gjatë ndërmjet grupeve kriminale në Fushë-Krujë, të lidhura me emrat e njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Durim Bami.

Vetëm katër ditë pas ngjarjes, policia arrestoi dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë: Ilir Beqaraj (alias Ilir Brahimi / Ilir Mançellari), 41 vjeç, dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç. Sipas hetimeve, pas krimit, ata dogjën makinën dhe armët në periferi dhe u larguan me një mjet tjetër.

Ndaj tyre, dosja është kaluar për gjykim në Gjykatën e Tiranës më 9 maj të këtij viti.

Flodian Plaku rezulton i njohur për autoritetet si “koka” e një grupi të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Në vitin 2019, ai është arrestuar në Vlorë si pjesë e një grupi të dyshuar për trafikim të kanabisit drejt brigjeve të Italisë me gomone, nga ku droga shpërndahej drejt qyteteve si Brindizi, Roma, Napoli, Milano e Firenze.

Katër vite më parë, ai u procedua nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL) për pasuri të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, në kuadër të Ligjit Antimafia dhe në bashkëpunim me autoritetet italiane.