Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i lartë amerikan i Mbrojtjes takon krerët shtetërorë të Kosovës



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë takuar të shtunën në Prishtinë me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, David Baker, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, përcjell REL.

Pas takimit, Osmani deklaroi se “kur Amerika qëndron përkrah Kosovës, ajo është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar”, duke theksuar se vendi mbetet i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe industrinë e armëve. Ajo rikujtoi gjithashtu se anëtarësimi në NATO mbetet një objektiv strategjik i Kosovës.

Baker zhvilloi edhe takime me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, për të diskutuar situatën e sigurisë në vend dhe mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi. Ai rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë.

Më vonë gjatë ditës, Baker pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në një deklaratë të mëhershme, Osmani kishte paralajmëruar mundësinë e zhvillimit të industrisë së prodhimit të armëve në Kosovë në bashkëpunim me kompanitë amerikane, duke e cilësuar këtë si një hap me përfitime të ndërsjella, sidomos në kontekstin e nevojave në rritje të sigurisë rajonale dhe globale.

Kosova ka Forcën e saj të Sigurisë, që ndodhet në proces të transformimit në një ushtri të rregullt, me objektiv krijimin e një trupe prej mbi 7.500 pjesëtarësh aktivë dhe rezervistë.

SHBA ka qenë një aleat kyç për Kosovën, duke ofruar ndihmë të vazhdueshme në fushën e mbrojtjes, përfshirë miratimin e kërkesave për blerjen e armatimeve, dhurimin e mjeteve ushtarake dhe marrëveshje të rëndësishme teknologjike si CISMOA.

Që nga viti 1998, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë në ndihmë për Kosovën, ndërsa udhëheqësit shtetërorë vazhdojnë të theksojnë se partneriteti me SHBA-në mbetet jetik për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.