
Kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë janë përfshirë në një garë shpenzimesh marramendëse për zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), duke arritur një shumë rekord prej mbi 400 miliardë dollarësh vetëm për vitin fiskal 2025, përcjell Guardian.
Meta, Microsoft, Amazon dhe Alphabet (kompania mëmë e Google) raportuan shpenzime kapitale të paprecedenta në gjashtëmujorin e parë të vitit. Këto fonde janë kryesisht të përqendruara në ndërtimin e infrastrukturës fizike – qendra të mëdha të dhënash dhe servera të avancuar – të nevojshme për zhvillimin dhe funksionimin e teknologjive të AI-së.
Ja si ndahen shpenzimet:
Amazon ka shpenzuar 55.7 miliardë dollarë në kapex deri tani këtë vit.
Alphabet ka raportuar gati 40 miliardë dollarë.
Meta ka dyfishuar investimet, duke arritur në 30.7 miliardë dollarë deri në mes të vitit dhe vetëm në tremujorin e fundit ka investuar 17 miliardë dollarë.
Microsoft ka bërë të ditur se do të shpenzojë mbi 30 miliardë dollarë vetëm në tremujorin aktual, me planin për të arritur në 100 miliardë dollarë gjatë gjithë vitit fiskal.
Për vitin e ardhshëm, totali i shpenzimeve kapitale të këtyre katër kompanive parashikohet të kalojë shifrën 400 miliardë dollarë, me Amazon dhe Microsoft në krye me nga 100 miliardë secila. Alphabet planifikon të shpenzojë 85 miliardë, ndërsa Meta synon 66 deri në 72 miliardë.
Apple, edhe pse më e rezervuar në publikimin e të dhënave, ka rritur ndjeshëm shpenzimet në AI, duke arritur në 3.46 miliardë dollarë për tremujorin e fundit – një rritje e konsiderueshme nga 2.15 miliardë një vit më parë. CEO i Apple, Tim Cook, konfirmoi një zhvendosje të theksuar të fokusit drejt AI-së, pa dhënë shifra të sakta.
Ndërkohë, edhe startup-e si OpenAI, kompania pas ChatGPT, po përpiqen të përfitojnë nga ky bum investimesh. OpenAI sapo ka siguruar 8.3 miliardë dollarë dhe është në proces të ngritjes së një runde financimi që synon 40 miliardë dollarë, me një vlerësim total prej 300 miliardë dollarësh.
Gara për dominimin në AI është kthyer në prioritet strategjik për industrinë e teknologjisë, dhe investitorët duket se po shpërblejnë çdo lëvizje drejt rritjes së kapaciteteve në këtë fushë. Kjo valë shpenzimesh pritet të riformësojë ekuilibrat ekonomikë dhe teknologjikë në shkallë globale në vitet në vijim.