Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç thërret Këshillin e Sigurisë pas dënimit të Dodikut: Serbia në presion të madh që nga viti 2008



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të shtetit të tij, pas vendimit përfundimtar të Gjykatës në Bosnje e Hercegovinë, e cila dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burg dhe ndalim prej gjashtë vjetësh për të ushtruar funksione politike, përcjell REL.

Vuçiç e cilësoi situatën si një nga më të vështirat për Serbinë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Ai tha se vendimi i drejtësisë në Bosnje ka sjellë një valë presioni të jashtëzakonshëm ndaj Serbisë nga faktorë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, po kërkojnë një reagim të menjëhershëm nga Beogradi.

“Që nga viti 2008 nuk kemi qenë kaq të ekspozuar ndaj krizave dhe presionit. Kemi kaluar përmbytje, krizën e migrantëve, pandeminë, luftën në Ukrainë dhe tensionet në Kosovë. Tani, presioni mbi Serbinë është më i madh se kurrë,” u shpreh Vuçiç.

Dodik, nga ana tjetër, deklaroi në një konferencë për media në Banjallukë se nuk e pranon aktgjykimin dhe se do të presë vendimin e Parlamentit të Republikës Sërpska. Ai paralajmëroi miratimin e masave të reja nga kuvendi dhe njoftoi se do të kërkojë mbështetjen e Serbisë, por edhe të Rusisë dhe SHBA-ve.

Avokati i tij tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës për të rrëzuar vendimin. Ndërkohë, Dodik u shpall fajtor për shpalljen e ligjeve të anuluara më herët nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, duke tentuar të pengojë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe autoritetit ndërkombëtar në këtë shtet.