Vendosni fjalën kyçe....

SPAK çon për gjykim grupin kriminal të përfshirë në disa vrasje dhe atentate – mes tyre Armando Ndreca


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO një dosje të rëndë penale ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet përfshijnë disa vepra të rënda penale të kryera në vitet 2020–2021, përfshirë atentatin e dështuar ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës, si dhe vrasjet e Hamza Terziut dhe Shkëlzen Kastratit në Fier.

Të akuzuarit janë: Albert Zaja, Edison Muçeku (i ekstraduar nga Anglia), Armando Ndreca, Elvis Ndreca, Dejvis Bajramaj dhe Adrian Pikli (i ekstraduar nga Gjermania). SPAK i akuzon ata për krime që përfshijnë vrasje të mbetura në tentativë, sigurim të mjeteve për vrasje, prodhim dhe trafikim narkotikësh, tregtim armësh, si dhe përfshirje në organizatë kriminale.

Nga hetimet, të mbështetura edhe në analizimin e komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC, del se grupi kriminal ka planifikuar dhe ekzekutuar disa ngjarje të rënda, përfshirë dhe një gabim fatal gjatë një atentati në Fier, ku në vend të objektivit Kelmend Kastrati, u vra aksidentalisht Shkëlzen Kastrati. Për këtë ngjarje është dënuar tashmë një nga ekzekutorët, ndërsa hetimet për pjesëtarët e tjerë të përfshirë vijojnë.

Ndërkohë, ndaj dy personave – Silvio Cara dhe Elmir Tufa – është kërkuar pushimi i çështjes, pasi hetimet nuk provuan përfshirjen e tyre në vrasjen e ndodhur në Fier më 1 shkurt 2021.

SPAK thekson se hetimet për pjesëtarë të tjerë të grupit vijojnë, ndërsa kjo çështje pritet të pasohet nga një proces gjyqësor i rëndësishëm në GJKKO, ku do të dalin në dritë detaje të reja mbi strukturën, rolet dhe aktivitetin e këtij grupi kriminal.