
Rusia lëshoi një valë raketash dhe dronësh në Kiev para agimit të së enjtes, duke vrarë 12 persona, përfshirë një djalë gjashtëvjeçar, dhe duke plagosur 135 të tjerë, thanë zyrtarët në kryeqytetin ukrainas.
Mbi 1,200 policë dhe ekipe shpëtimi u morën me pasojat e sulmit dhe Ministria e Brendshme tha se kërkimet për njerëzit e varrosur nën rrënoja vijuan pas orës 4:30 pasdite. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia lëshoi më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa, shkruan Reuters.
Autoritetet e qytetit njoftuan një ditë zie që do mbahet të premten për viktimat. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shënjestroi dhe goditi aeroportet ushtarake ukrainase dhe depot e municioneve, si dhe bizneset e lidhura me atë që e quajti kompleksi ushtarako-industrial i Kievit.
Ministria e Brendshme tha se 11 fëmijë u plagosën, numri më i madh i të lënduarve në një sulm të vetëm në qytet që kur Rusia filloi pushtimin e saj të plotë pothuajse tre vjet e gjysmë më parë. Shpërthimet tronditën Kievin nga rreth mesnatës e tutje dhe flakët ndriçuan qiellin e natës.