
Ministri i Financave i Gjermanisë, Lars Klingbeil, ka paralajmëruar se një deficit buxhetor prej 170 miliardë eurosh përbën një “sfidë të madhe” për koalicionin qeverisës, edhe pse ekonomia më e madhe e Evropës po ndërmerr një investim të financuar nga borxhi për të forcuar ushtrinë e saj dhe për të modernizuar infrastrukturën e saj.
Në mars, Gjermania zbuti kufirin e saj kushtetues të huamarrjes për të mundësuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe për të krijuar një fond të posaçëm prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën e saj të vjetëruar – një ndryshim historik nga qëndrimi tradicionalisht konservator fiskal i Berlinit. Megjithatë, rregulli kushtetues që kufizon huamarrjen neto në 0.35 përqind të PBB-së në vit vijon të zbatohet në fusha të tjera të buxhetit federal, shkruan FT.
Duke prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm të mërkurën, Klingbeil tha se Berlini duhet të mbyllë një boshllëk buxhetor prej 170 miliardë eurosh deri në vitin 2029. Ndërsa koalicioni ra dakord të mos rriste taksat, kjo ka të ngjarë të kërkojë shkurtime të thella në të gjitha ministritë dhe reforma të sistemit të mirëqenies, shtoi ai.
“Nuk ka kohë për të humbur”, tha ai. Vetëm buxheti i vitit 2027 do të duhet të mbulojë një boshllëk prej 30 miliardë eurosh, “një nga sfidat më të mëdha të brendshme që duhet të kapërcejmë në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm”.
Shkurtimet e afërta përbëjnë një rrezik politik për qeverinë e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, i cili është zotuar të largohet nga grindjet e brendshme që pllakosën koalicionin e mëparshëm.
Kristiandemokratët e Merz, të cilët qeverisin me Socialdemokratët e Klingbeil me një shumicë shumë të ngushtë prej 13 vendesh në parlament, kanë përjetuar kohët e fundit tensionet e tyre të para të rëndësishme që nga marrja e detyrës në maj.