
Policia e Shtetit ka reaguar pas një deklarate në media nga qytetari Emirion Mandreja, I cili ka akuzuar blutë se e kanë dhunuar në komisariatin e Rrëshenit më 17 janar 2024.
Sipas Policisë, ngjarja ka nisur gjatë një kontrolli rutinë në terren, rreth orës 14:45, kur Shefi i Komisariatit të Mirditës në atë kohë, Kryekomisar Klodian Kondi, bashkë me Shefin e Rendit dhe Specialistin për Krimet, kanë ndaluar për verifikim një automjet që drejtohej nga Emirion Mandreja. Punonjësit e rendit janë prezantuar dhe kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, por, sipas tyre, drejtuesi i mjetit ka refuzuar kategorikisht të bashkëpunojë, duke mbajtur qëndrim sfidues dhe duke shfaqur sjellje verbale agresive.
Për këtë arsye, ai është shoqëruar në ambientet e komisariatit, ku, sipas njoftimit, ka vijuar të kundërshtojë me dhunë, duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e Policisë. Në një moment, ai ka tentuar të godasë me grusht Kryekomisarin Kondi dhe e ka goditur atë me shkelm në gjymtyrë, në prani të disa efektivëve të tjerë. Policia bën me dije se gjatë përplasjes, shtetasi ka ushtruar dhunë edhe ndaj vetes, duke goditur me kokë murin dhe tavolinën në zyrën e Oficerit të Rojës. Të gjitha këto veprime, sipas autoriteteve, janë dokumentuar në dosjen hetimore.
Menjëherë pas incidentit, Kryekomisar Kondi ka depozituar kallëzim penal për goditje për shkak të detyrës dhe kanosje ndaj tij, ndërkohë që dëshmi kanë dhënë edhe punonjësit e tjerë të pranishëm. Pas përfundimit të procedurave, Mandreja është arrestuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia njofton gjithashtu se pamjet filmike të momentit të shoqërimit dhe të qëndrimit të tij në komisariat i janë dorëzuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila po heton paralelisht edhe kallëzimin e bërë nga vetë Ermion Mandreja lidhur me ngjarjen.
Çështja është aktualisht në gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë. Kryekomisar Klodian Kondi dhe punonjësit e tjerë të policisë që ishin të pranishëm janë thirrur për të dëshmuar në proces, në cilësinë e të dëmtuarve.