
Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi është kapur duke lëvizur me një armë atomatike pa leje.
Në pranga ka rënë Arben Leka, banues në Lezhë, i cili po lëvizte me një motor dhe sipas policisë po shkonte për të qëlluar dikë me të cilin ishte përplasur.
Ai fillimisht ka provuar të largohet po është arrestuar pak çaste më pas.
Njoftimi
“Forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë një 39-vjeçar të armatosur që po udhëtonte me motor, i cili sipas informacioneve të siguruara nga blutë, po lëvizte me qëllim kryerjen e një ngjarjeje kriminale për shkak të një konflikti të mëparshëm.
Arben Leka, 39 vjeç, banues në Lezhë, u kap në fshatin Dajç teksa qarkullonte me një motomjet pa targa, i armatosur me një armë zjarri automatike me fishek në fole, gati për qitje.
Pas lokalizimit të motomjetit, 39-vjeçari tentoi të largohej. Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma automatike, një sasi municioni luftarak, si dhe motomjeti pa targa me të cilin lëvizte i dyshuari. Në përfundim të veprimeve procedurale, Arben Leka u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore.”