Vendosni fjalën kyçe....

Tajvan – Përpjekja për të shkarkuar 24 deputetë opozitarë “pro-Kinë” dështon



Një përpjekje e paprecedentë në Tajvan për të shkarkuar 24 deputetë të opozitës, të cilët konsiderohen si “pro-Kinë”, dhe për t’i dhënë shumicën parlamentare partisë në pushtet
Democratic Progressive Party (DPP) ka dështuar. Votuesit në çdo njësi zgjedhore të përfshirë e kanë refuzuar nismën për shkarkim, përcjell Guardian.

Të shtunën, u mbajtën referendumet për 24 nga 31 zonat e synuara, ku qytetarët votuan nëse ishin pro apo kundër shkarkimit të ligjvënësve të zonës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi deri në orën 19:00 se asnjë nga votimet nuk kishte kaluar pragun, që kërkon të paktën 25% të trupës zgjedhore të votojë pro shkarkimit dhe që votat “pro” të jenë më të shumta se ato “kundër”.

Të gjithë deputetët që u përballën me referendumin i përkisnin partisë opozitare Kuomintang (KMT), e cila në bashkëpunim me një parti tjetër më të vogël ka kontrolluar shumicën parlamentare që nga zgjedhjet e vitit të kaluar – kur presidenti Lai Ching-te nga DPP fitoi presidencën me një platformë pro-sovranitetit dhe kundër ndërhyrjes kineze.

Opozita ka bllokuar projektligje të DPP-së, përfshirë buxhetin për mbrojtjen, emërimet në gjykatën kushtetuese dhe ka propozuar ligje që – sipas kritikëve – dobësojnë mbrojtjen e Tajvanit, duke ndezur protesta masive dhe lindjen e nismës për shkarkim.

Fitorja e KMT-së në këtë raund i jep opozitës një shtysë të madhe politike. Nëse vetëm gjashtë mandate do të kishin kaluar në favor të DPP-së, kjo do t’i kishte dhënë shumicën parlamentare presidentit Lai, por gjithashtu do të kishte rritur ndjeshëm tensionet me Kinën, e cila e cilëson DPP-në si “separatiste”.

Presidenti Lai e pranoi rezultatin, duke theksuar se “nuk është një fitore për njëra palë dhe as humbje për tjetrën, por një shfaqje e demokracisë tajvaneze.” Ai theksoi nevojën për unitet pas garës politike dhe respektim të sistemit kushtetues.

Ndërkohë, KMT e përshëndeti rezultatin si një refuzim të qartë të përpjekjes së DPP-së për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, duke shtuar se “ky rezultat nuk duhet interpretuar si sinjal mbi politikën ndaj Kinës apo qëndrimet ‘pro-Kinë’ apo ‘pro-Tajvan’”.

William Yang, analist për Azinë Veriore në International Crisis Group, paralajmëroi se kjo fushatë e shkarkimeve ka thelluar ndarjet politike në Tajvan. Ai bëri thirrje për reflektim nga të gjitha palët dhe për gjetjen e një terreni të përbashkët mbi çështje kyçe për sigurinë dhe prosperitetin e vendit.

Ndërkohë, 7 njësi zgjedhore të tjera do të zhvillojnë votimin për shkarkim në javët në vijim. Por pas humbjes së së shtunës, nismëtarët janë nën presion të madh për të arritur të paktën 6 fitore, nëse duan të ndryshojnë përbërjen e parlamentit.

Rrugët e Tajvanit u përfshinë nga protesta dhe mitingje madhështore për të dyja palët, duke reflektuar një shoqëri të polarizuar, por edhe një angazhim të thellë ndaj procesit demokratik.