
Një 59-vjeçar është proceduar lidhur me operacionin “Plazhi i lirë”.
Ai akuzohet se shfrytëzonte pa leje 85 komplete çadrash me shezlongë në zonën e Kepit të Rodonit.
Prej disa ditësh në mbarë vendin po zhvillohet një operacion për lirimin e hapësirave publike.
Rreth 100 objekte u prishën në Theth ndërsa në mbarë vendin është kërkuar lirimi I hapësirave publike nga subjektet private.
Njoftimi
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve. Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.”