
Vendi është përfshirë prej ditësh nga zjarre të shumta që kanë prekur thuajse gjithë territorin e vendit.
Pavarësisht punës për shuarjen e tyre, shtrirja e madhe, terreni i vështirë dhe mungesa e më shumë mjeteve ajrore zjarrfikëse e ka vështirësuar mjaft punën.
Që prej orës 4 të mëngjesit, dhjetëra zjarrfikës, punonjës të shërbimeve publike e ushtarë po punojnë për shuarjen e flakëve në zonën e Gjirokastrës, mes Fushë Bardhës e tunelit të Skarficës.
Dy vatra zjarri janë aktive në zonën e Korçës, në Dishnicë e Strelcë. Gjendja sipas autoriteteve është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të flakëve.
Ndërkohë nuk është shuar ende zjarri në Dukat, që digjet prej disa ditësh. Në Delvinë zjarri vijon ende në fshatrat Kalas, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçës dhe Palavli, ndërsa në Ploç të Selenicës, ka flakë në Velç, Ramicë, Verbas dhe Matogjin.