
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike dhe drejtuesi politik i saj në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, Belind Këlliçi, ka deklaruar se forca që ai përfaqëson ka në dorë prova të reja për atë që e quan “farsë elektorale”.
I ftuar në emisionin Opinion në News24, Këlliçi tha se PD disponon rreth 570 video autentike, të realizuara në qendra votimi në Tiranë dhe zonat përreth, ku sipas tij dokumentohen qartë shkelje flagrante të procesit zgjedhor.
Sipas Këlliçit, në këto video identifikohen me emër dhe mbiemër komisionerë të Partisë Socialiste, të cilët, me zë dhe figurë, shfaqen duke kërcënuar votuesit apo duke hyrë në dhomën e fshehtë të votimit për t’iu diktuar zgjedhësve mënyrën si të votojnë.
“Në Tiranë ka pasur komisionerë të PS-së që kanë kërcënuar votuesit, kanë hyrë në dhomën e fshehtë, u kanë marrë fletën e votimit, kanë kontrolluar votën dhe më pas e kanë hedhur vetë në kuti. Të gjitha këto janë të fiksuara në video dhe do të publikohen ditët në vijim,” tha Këlliçi.
Ai shtoi se bëhet fjalë për rreth 400 raste të votimit familjar, intimidimi të votuesve dhe përdorimi të bexhave false, me shumë nga këto raste të ndodhura në Bashkinë e Vorës – një nga zonat ku gjatë procesit zgjedhor pati edhe përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës.
Këlliçi gjithashtu akuzoi autoritetet se po pengojnë transparencën, duke mos u vënë në dispozicion Partisë Demokratike pamjet filmike nga dhjetëra qendra votimi në Tiranë, për të cilat ai thotë se ka dyshime të forta për manipulim të rezultatit.
“Çuditërisht, tani thonë se në disa qendra ka pasur probleme me filmimin, si në Krrabë apo Zall-Bastar. Është detyrim ligjor që kamerat duhet të jenë të ndezura,” u shpreh Këlliçi.
Ai paralajmëroi se prova të tjera do të publikohen në ditët në vijim, ndërsa Partia Demokratike do të kërkojë hetim të thelluar për atë që e konsideron si një proces zgjedhor të manipuluar.