
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dënuar ashpër vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të njohur shtetin e Palestinës, duke e cilësuar këtë akt si të rrezikshëm dhe destabilizues për rajonin, përcjell YNetNews.
“E dënojmë fuqishëm vendimin për të njohur një shtet palestinez pranë Tel Avivit, pas masakrës së 7 tetorit,” deklaroi Netanyahu të enjten.
“Ky është një shpërblim për Hamasin dhe rrezikon të krijojë një tjetër përfaqësues të Iranit në rajon, ashtu siç ndodhi me Rripin e Gazës.”
Kryeministri izraelit paralajmëroi se krijimi i një shteti palestinez në rrethana të tilla nuk do të sjellë paqe, por do të shërbejë si “platformë për shkatërrimin e Izraelit dhe jo për bashkëjetesë paqësore.”
Ai theksoi se, sipas tij, synimi i palestinezëve nuk është krijimi i një shteti përkrah Izraelit, por “një shtet në vend të Izraelit.”
Deklarata e Netanyahut vjen pasi Macron njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Kjo lëvizje është përshkruar si historike nga Parisi, por ka ndezur reagime të ashpra në Tel Aviv, ku frika nga një përkeqësim i mëtejshëm i sigurisë është e pranishme që pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.