Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Florenc Çapjas, mbetet në burg për vrasje dhe atentate të porositura


Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për ndryshim mase sigurie të Florenc Çapjas, i cili u ekstradua disa muaj më parë nga Dubai. Çapja kërkoi lirimin nga masa “arrest me burg”, por trupa gjykuese vendosi ta lërë në qeli.

44-vjeçari është i akuzuar për disa krime të rënda, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, plan që mbeti në tentativë. Emri i Çapjas doli në dritë nga dëshmitë e Nuredin Dumanit, kreut të grupit të vrasësve me pagesë dhe i penduar i drejtësisë në kuadër të hetimeve të SPAK.

Florenc Çapja dhe xhaxhai i tij, Ardian Çapja, janë dënuar me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, në vitin 2012. Gentian Beqiri, i njohur dhe si Ardian Meta, u qëllua për vdekje ndërsa ishte në arrest shtëpie, i paralizuar në krevat, nën mbrojtjen e dy efektivëve të policisë. Pasi u ekzekutua ai me 7 plumba, atentatorët mbytën edhe babain e tij, Nezir Beqirin. Policia akuzoi më pas dy efektivët për “shpërdorim detyre”.

Sipas SPAK, Florenc Çapja është përfshirë si porositës në të paktën tre vrasje, ndërsa ndaj tij rëndojnë edhe akuza për një atentat të mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Policisë Rrugore të Elbasanit, Fadil Mema, në vitin 2006. Kjo çështje është rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Elbasanit pasi Gjykata e Lartë zhbëri vendimin e mëparshëm që e kishte pushuar dosjen në vitin 2019.

Çapja u arrestua në Dubai pas një periudhe arratie dhe u ekstradua në Shqipëri, ku ndaj tij vijon një hetim pasuror nga SPAK. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskimin e 10 pasurive të sekuestruara, prej të cilave 8 rezultojnë në emër të prindërve të Florenc Çapjas, të gjitha të ndodhura në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan – e njohur si baza e grupit të strukturuar kriminal “Çapja”.

Hetimet, përgjimet dhe dëshmitë e Dumanit kanë zbuluar se grupi i Çapjave ka pasur konflikte të përgjakshme me grupin rival të Suel Çelës në Elbasan, duke përshkallëzuar më tej përplasjet kriminale në qytet.

Florenc Çapja do të qëndrojë në burg në pritje të përfundimit të proceseve gjyqësore që rëndojnë ndaj tij, ndërsa SPAK vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e tij në disa ngjarje kriminale që kanë tronditur Elbasanin gjatë dekadës së fundit.