Vendosni fjalën kyçe....

Izraelitët e Big Shopping Centers do hyjnë në Shqipëri, në partneritet me grupin BALFIN


Grupi i biznesit nga Izraeli, Big Shopping Centers, do të hyjë në tregun shqiptar, në një ndërmarrje të përbashkët me grupin shqiptar të biznesit Balfin. Izraelitët do të bëhen aksionarë në një nga sipërmarrjet më të reja të Balfin, kompaninë Retail Park Shkodra.

Në muajin qershor, palët kanë njoftuar në Autoritetin e Konkurrencës për krjimin e shoqërisë së përbashkët CEE – BIG – BALFIN Holding Development, një shoqëri investuese, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë dhe që zotërohet bashkërisht nga Balfin dhe CEE – BIG, me qëllim zhvillimin, pronësinë dhe administrimin e investimeve në parqe tregtare në Shqipëri.

CEE – BIG B.V. është një shoqëri e regjistruar në Holandë, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës dhe përfaqëson degën evropiane të grupit izraelit BIG Shopping Centers.

BIG Shopping Centers është një kompani e listuar në bursën e Tel Avivit, me një vlerë neto prej afërsisht 3 miliardë eurosh. Grupi është i pranishëm në Europë nëpërmjet BIG Europë dhe filialeve të saj.

Sipas informacionit në faqen e internetit të kompanisë, degët e BIG Europe dhe kompanitë simotra (kryesisht CEE-BIG dhe AFI Properties) zotërojnë dhe menaxhojnë një portofol prej afër 50 projektesh aktive në Evropën Qendrore-Lindore (parqe shitjeje me pakicë, qendra tregtare dhe parqe zyrash) dhe 10 ndërtesa të industrisë së lehtë në Francë.

Përveç kësaj, portofoli i CEE përfshin 20 projekte shitjeje me pakicë dhe zyrash në ndërtim e sipër, dhe toka shtesë në fazat e hershme të zhvillimit, duke përfshirë energjinë e rinovueshme.

BIG Europe themeloi selinë e saj të re evropiane në verën e vitit 2023, me qëllimin e qartë për të investuar kapital dhe për të rritur kompaninë.

Fokusi i saj kryesor do të vazhdojë të jetë në tregjet e Europës Lindore.

Shoqëria objekt i këtij transaksioni, Retail Park Shkodra ka si objekt aktiviteti parësor zhvillimin dhe dhënien me qira të hapësirave për shitje me pakicë dhe shërbime komerciale në një format të konceptuar si “retail park”.

Parqet do të përbëhen nga njësi komerciale, të cilat do t’u jepen me qira operatorëve të pavarur të shitjes me pakicë, përmes marrëveshjeve të posaçme të qirasë.

Retail Park Shkodra u themelua në muajin prill të këtij viti dhe aktualisht ka si aksioner të vetëm grupin Balfin, deri në finalizimin e transaksionit për kontrollin e përbashkët me CEE – BIG.

Retail Park Shkodra është shoqëria e parë që do të kontrollohet nga CEE – BIG – BALFIN Holding Development Ltd. dhe përfaqëson projektin e parë konkret të zbatuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Balfin dhe BIG.

Nga ana tjetër, grupi Balfin vazhdon ta ketë si pjesë të rëndësishëm të portofolit të saj zhvillimin dhe administrimin e pasurive të paluajtshme, kryesisht qendrave dhe parqeve tregtare dhe industriale.

Aktualisht, Balfin zotëron qendrat tregtare QTU dhe TEG në Shqipëri, parkun e biznesit ëest Park në Korçë dhe qendrën e biznesit East Gate Mall në Shkup të Maqedonisë së Veriut, si edhe parqet logjistike Tirana Logistic Park në Tiranë dhe East Gate Business në Shkup. / E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor