Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heq dorë nga përpjekjet për bisedime me Iranin


Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar në biseda private se Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen më të bindin Iranin për të rifilluar bisedimet mbi programin e tij bërthamor. “Nëse duan të vijnë – janë të mirëpritur. Por ne nuk do t’i lutemi,” ka thënë Trump, sipas burimeve për The Jerusalem Post. Qëndrimi i tij vjen pas dështimit të përpjekjeve të administratës amerikane për të detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje që ndalon pasurimin e uraniumit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka theksuar se Irani nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit, duke shtuar se sulmet e fundit nga SHBA dhe Izraeli kanë shkaktuar dëme të mëdha në objektet bërthamore iraniane. Presidenti Trump ka paralajmëruar në rrjetin e tij Truth Social se nëse është e nevojshme, SHBA do të godasë përsëri objektivat bërthamore të Iranit.

Ndërkohë, më 19 korrik në Stamboll pritet një takim mes përfaqësuesve të Iranit dhe diplomatësh nga Britania, Franca dhe Gjermania. Vendet europiane kanë paralajmëruar se në mungesë të një marrëveshjeje deri në gusht, do të kërkojnë rikthimin automatik të sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit.