Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Në shtator analiza e humbjes së PD, nuk ka vend për “luftë shtrigash”


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, deklaroi se analiza e humbjes së PD në zgjedhjet e 11 majit do të zhvillohet në shtator. E ftuar në “News24”, Zhupa theksoi se në këtë moment prioritet për partinë është demaskimi i asaj që PD e cilëson si “farsë zgjedhore”, përmes publikimit të fakteve dhe denoncimeve për procesin elektoral.

Sipas saj, të dy proceset – denoncimi publik dhe analiza e brendshme – nuk mund të zhvilloheshin njëkohësisht, pasi do të rrezikohej që vëmendja të largohej nga çështja e manipulimit të zgjedhjeve.

“Është detyrë që ta demaskojmë. Ashtu siç është për shtatorin, që të kthehemi në analizën tonë të brendshme: çfarë duhet të bëhet më mirë”, tha Zhupa, duke shtuar se nuk ka vend për “luftë shtrigash” brenda PD-së, por për gjetjen e formulës dhe njerëzve që mund të sjellin fitoren.

Zhupa u shpreh se zgjedhjet e 11 majit nuk zhvilluan një garë të barabartë dhe se “ishin kushtet e tilla që pamundësuan edhe shprehjen e vullnetit të qytetarëve”. Ajo i referohet raportit të OSBE-ODIHR duke thënë se gara ishte mes një shteti elektoral dhe PD-së.

Deputetja theksoi nevojën për përfshirjen e profesionistëve, të rinjve dhe qytetarëve të angazhuar në opozitë që ende nuk i janë bashkuar PD-së, si pjesë e një fryme të re për të ardhmen politike të partisë.