
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se fuqizimi i qeverisjes vendore është një ndër objektivat kryesorë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian deri në vitin 2030.
Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri me dije se bashkitë po hapin thirrje publike për punësime në sektorë kyç të administratës vendore, ndërsa qyteti i Vlorës ka kaluar tashmë në fazën e intervistave me kandidatët.
“Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian,” tha Rama, duke nënvizuar se reforma në nivel lokal është thelbësore për përmbushjen e standardeve evropiane.
Ai gjithashtu njoftoi se në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një model i ri organizativ për Bashkinë e Tiranës, që do të shtrihet më pas edhe në bashki të tjera për të rritur transparencën, efikasitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe të tjera kanë nisur thirrjet për aplikime në funksion të këtij transformimi. Sipas Ramës, qytetarët duhet të aplikojnë me kurajo dhe besim, pasi roli i tyre është thelbësor në ndërtimin e një administrate moderne dhe të përgjegjshme.