
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një proces të nisur ndaj saj për akuzën e shpifjes nga biznesmenja Vilma Nushi.
Padia ndaj Vokshit u depozitua nga përfaqësuesit ligjorë të Nushit pas deklaratave të bëra nga deputetja demokrate në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Vokshi kishte deklaruar se Vilma Nushi, në cilësinë e pronareve të dy kompanive që janë pjesë e koncesionit të check-up-it, ka përfituar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë rreth 1.5 milionë euro nga dividenti.
Sipas opozitës, ky përfitim ka ardhur si rezultat i praktikave të dyshuara korruptive në dhënien e koncesioneve në shëndetësi.
Pas vendimit të pafajësisë, Vokshi deklaroi para mediave se ky ishte një triumf jo vetëm personal, por edhe i opozitës dhe i betejës së saj për transparencë.
“Është një betejë që unë, Partia Demokratike dhe kolegët e opozitës e kemi bërë prej më shumë se 10 vitesh,” tha Vokshi, duke iu referuar denoncimeve të vazhdueshme mbi koncesionin e check-up-it.
Ajo shtoi se në gjykatë ka paraqitur dokumentacion zyrtar që vërteton çdo deklaratë të saj, e cila u konsiderua e bazuar në fakte nga trupa gjyqësore.
Vendimi i GJKKO-së pritet të ketë jehonë në debatin publik mbi koncesionet në sistemin shëndetësor dhe rolin e kompanive të lidhura me to.