Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kritikon aksionin për lirimin e hapësirave publike: Qeverisje me aksione që rrit informalitetin


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar aksionin e fundit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24. Ajo u shpreh kritike ndaj mënyrës se si po vepron mazhoranca, duke theksuar se kjo qasje po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e informalitetit.

Sipas Tabakut, ndërhyrje të tilla nuk adresojnë problemet reale, por përdoren si një mjet force kundër biznesit të vogël, veçanërisht në mes të sezonit turistik.

“Jam kundër këtij tregimi forcë që shkon te biznesi në mes të sezonit turistik. E dimë që shteti është i fortë dhe ka çdo instrument në dorë. Pse duhet të bëhet kjo me biznesin e vogël?” – u shpreh ajo.

Deputetja theksoi se kjo mënyrë qeverisjeje fillimisht nxit informalitetin, dhe më pas ndërmerr aksione për ta luftuar atë.

“Kjo qeverisje me aksione ka rritur informalitetin. Sepse nga ana tjetër shohim legalizime të ndërtimeve pa leje, stallave etj. Pra e stimulojnë informalitetin dhe më pas bëjnë aksione të tilla,” – shtoi Tabaku.

Ajo vuri gjithashtu në dukje se në shumë raste, abuzimet me ndërtimet janë bërë me dijeninë ose miratimin e institucioneve shtetërore, ndërsa për qytetarët e zakonshëm ndërtimi është bërë thuajse i pamundur.

“Po të shkosh në fshatrat e Tiranës, na thonë që është e pamundur të ndërtosh sepse të shkon më shumë ‘qoka’ se ndërtimi,” përfundoi Tabaku.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka deklaruar se vetëm në Tiranë janë liruar 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, si pjesë e këtij aksioni kombëtar.