
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi të premten një takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në prag të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të ri. Takimi erdhi një ditë para seancës së radhës, e cila shënon përpjekjen e 49-të për të formuar institucionin legjislativ, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, përcjell REL.
Në një njoftim për media, Presidenca theksoi se ky takim zhvillohet në kuadër të përmbushjes së afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që përcakton 26 korrikun si datën përfundimtare për konstituimin e Kuvendit. Nëse ky afat nuk respektohet, nuk është e qartë se çfarë pasojash ligjore do të ketë, megjithëse Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet vetë Gjykatës.
Osmani e quajti zbatimin e këtij vendimi “detyrim kushtetues” dhe u bëri thirrje të gjitha partive që të bashkëpunojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë.
Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate, që ka tre deputetë në Kuvend, duket se po pozicionohet si aktor kyç në këtë proces. Deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se pret që Limaj të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fundjavës, duke përmendur mundësinë që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.
Për të zgjedhur kryekuvendarin duhen 61 vota. Vetëvendosje i ka 48, dhe mund të llogarisë në 7 vota nga pakicat joserbe, si dhe në 3 nga Nisma, por i mungojnë ende tri vota për të arritur shumicën. Disa deputetë të pakicave, si Duda Balje dhe Veton Berisha, nuk kanë dhënë mbështetje pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Procesi ka ngecur edhe për shkak të mospajtimeve procedurale. Katër parti opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzojnë të propozojnë anëtarë për komisionin e votimit të fshehtë, duke e konsideruar të paligjshëm ndryshimin e procedurës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme në disa seanca me votim të hapur. Për disa parti opozitare, ajo mbetet figurë e papranueshme.
Shoqëria civile ka protestuar në mënyrë të përsëritur para Kuvendit, duke i bërë thirrje deputetëve që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të shmangin një krizë të mundshme kushtetuese nëse institucioni nuk konstituohet në afatin e mbetur.