
Një gjykatë në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burgim në mungesë një ish-pjesëtar të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i identifikuar me inicialet S.F., për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, përcjell REL.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, S.F. u shpall fajtor për rrëmbimin dhe torturimin e një mjeku me inicialet H.Sh., në vitin 1998, së bashku me dy zyrtarë të tjerë ende të paidentifikuar. Viktima ishte ndaluar me forcë në rrugën Drenas-Prishtinë dhe ishte dërguar në një ndërtesë të Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku ishte torturuar. Që nga ajo kohë, fati i tij mbetet i panjohur.
Aktgjykimi është i apelueshëm në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ndërsa të akuzuarit në mungesë u garantohet e drejta për rigjykim të pakushtëzuar në rast se arrestohen, sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të miratuara në vitin 2022.
Që nga hyrja në fuqi e këtij mekanizmi ligjor, deri në shkurt 2025 janë ngritur 50 aktakuza në mungesë kundër 73 pjesëtarëve të forcave serbe të dyshuar për krime lufte në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare.
Aktgjykimi i parë në mungesë në Kosovë u dha në dhjetor 2024 ndaj Çedomir Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burg për krime lufte ndaj civilëve.
Gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, u vranë, ndërsa rreth 1.600 persona mbeten ende të zhdukur.