Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj përballë drejtësisë për dosjen “Buka”: GJKKO vendos sot nëse çështja kalon për gjykim


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të vendosë sot nëse dosja “Buka” ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj do të kalojë për gjykim.

Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, akuzohet nga SPAK për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, me dyshimet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh.

Në seancën e sotme është paraqitur vetëm avokati i tij, ndërsa Gjykata i kishte lënë dy javë kohë mbrojtjes për t’u njohur me veprimet e reja hetimore të prokurorit Elvin Gokaj dhe për të paraqitur përfundimet.

Hetimet vijojnë edhe për 7 persona të tjerë, mes të cilëve zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe biznesmeni Lirim Fezollari, që sipas SPAK, përfitoi nga procesi i privatizimit të shoqërisë “Buka Sh.a.” gjatë kohës kur Ahmetaj mbante postin e ministrit të Financave.

Sipas organit të akuzës, ekzistojnë dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari kishin marrëdhënie përtej komunikimit zyrtar, çka ka ndikuar në përfitimin e padrejtë të aksioneve nga ana e biznesmenit.