Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli intensifikon sulmet ajrore kundër regjimit sirian për të mbrojtur popullsinë druze në Sweida


Ushtria izraelite (IDF) ka ndërmarrë 160 sulme ajrore ndaj forcave të regjimit sirian në dhe rreth qytetit të Sweidës në jug të Sirisë, ku sipas Izraelit, regjimi po kryen masakra ndaj popullsisë druze. Mes objektivave të sulmuara thuhet se janë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe një pjesë e Pallatit Presidencial në Damask. Raportohet se dhjetëra ushtarë të regjimit janë vrarë.

Burime ushtarake izraelite thonë se janë të përgatitur për një fushatë disa ditore me qëllim që të detyrojnë forcat e regjimit të tërhiqen nga Sweida dhe t’u rikthejnë druzëve autonominë.

Megjithatë, deri të mërkurën, regjimi kishte marrë kontrollin e rreth 70% të qytetit, ndërsa një ditë më parë këtë përqindje e kontrollonin forcat druze. Rreth 200 milicë të armatosur dhe 1,000 trupa të rregullta të regjimit e kanë rrethuar qytetin dhe akuzohen për mizori kundër civilëve, përcjell Jerusalem Post.

IDF nuk ka akuzuar drejtpërdrejt regjimin për fillimin e krizës, por nënvizon se ai po e shfrytëzon për të forcuar kontrollin në këtë zonë kryesisht druze. Izraeli thekson se nuk do të dërgojë trupa tokësore në Sweida, por do të vazhdojë bombardimet si presion ndaj regjimit.

Për të menaxhuar situatën dhe çështjet e sigurisë në kufirin me Sirinë, IDF ka transferuar njësi ushtarake nga Gaza drejt veriut, përfshirë Brigadën e 35-të dhe ndoshta Divizionin e 98-të, ndërsa ka shpallur disa zona ushtarake të mbyllura pranë kufirit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se sulmet do të intensifikohen nëse regjimi sirian nuk tërhiqet së shpejti nga Sweida.