Vendosni fjalën kyçe....

“Po përballemi me frontin e tetë, fushata e dezinformimit është mes nesh” – Netanyahu



Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar luftën kundër lajmeve të rreme dhe manipulimit mediatik si “frontin e tetë” në betejat me të cilat po përballet vendi i tij, përcjell Open Source. Në një deklaratë gjatë një interviste me gazetarin amerikan Mark Levin, Netanyahu u shpreh se dezinformimi përhapet me shpejtësi marramendëse, ndërsa e vërteta ka nevojë për kohë dhe fakte për t’u provuar.

Ky është fronti i tetë. Fushata e dezinformimit është mes nesh. Ju e dini, duhet një sekondë që një gënjeshtër të qarkullojë në gjithë botën, dhe pastaj duhet të luftosh me të vetmen armë që ke: të vërtetën,” – tha Netanyahu.

Ai shtoi se në epokën digjitale, gënjeshtrat përhapen shumë më shpejt se faktet dhe për këtë arsye përbëjnë një sfidë të vështirë për t’u përballuar.

E vërteta është më e ngadaltë se gënjeshtra dhe më e vështirë për t’u përcaktuar, sepse duhet të gjesh faktet. Kur gënjen, mund të thuash çfarë të duash dhe menjëherë. Kur thua të vërtetën, duhet të gjesh faktet. Dhe deri sa ta bësh këtë në epokën elektronike, ajo gënjeshtër mund të ketë rrethuar tokën një mijë herë.

Netanyahu theksoi nevojën për një përpjekje më të organizuar dhe efikase për të kundërshtuar dezinformimin dhe për të “turpëruar” mediat që, sipas tij, shpërndajnë informacione të rreme.

Duhet të jemi më efikasë në mohimin [e gënjeshtrave]. Mendoj se duhet t’i turpërojmë mediat që e bëjnë këtë. E di që jeni pak të përmbajtur e të moderuar për këtë çështje. Duhet të vazhdoni me pasionin tuaj për të folur në emër të së vërtetës dhe për të turpëruar ata që përhapin gënjeshtra. Nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër. Ju e shihni?”

Gazetari Mark Levin u përgjigj shkurt: “Jo”.

Netanyahu theksoi se përballja me dezinformimin është bërë po aq jetike sa edhe sfidat e tjera të sigurisë.