
Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi të martën mbrëma se dhjetëra civilë druzë me shtetësi izraelite kanë kaluar ilegalisht kufirin me Sirinë nga zona e fshatit druz Majdal Shams, në pjesën veriore të Izraelit, përcjell Jerusalem Post.
Sipas një deklarate të IDF-së, “po ndërmerren hapa për të kthyer në mënyrë të sigurt civilët që kanë kaluar kufirin”. Megjithatë, nuk është e qartë se përse ushtria nuk arriti të parandalojë kalimin e tyre, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin e përgatitjes në zonën kufitare.
Po ashtu, mbetet e paqartë se çfarë pasojash ligjore do të kenë civilët që kanë shkelur ligjin duke hyrë në territorin sirian, gjë që është rreptësisht e ndaluar sipas ligjeve izraelite të sigurisë.
Civilët druzë që kanë hyrë në Siri pretendojnë se e kanë bërë këtë për të ndihmuar të afërmit e tyre druzë-sirianë, të cilët janë përfshirë ditët e fundit në përleshje të armatosura me beduinë sirianë dhe forcat e regjimit të ri sirian.
Izraeli thuhet se ka mbështetur ushtarakisht komunitetet druze në Siri në raste kur forcat qeveritare siriane kanë tentuar të hyjnë në qytetet e tyre. Kjo situatë e vë Izraelin përballë një sfide të ndërlikuar: të balancojë qëndrimin e tij ligjor dhe ushtarak me ndjeshmërinë ndaj komunitetit druzë izraelit, i cili është tronditur nga raportimet se dhjetëra nga të afërmit e tyre në Siri mund të jenë vrarë në përleshjet e fundit.