
Pas më shumë se 6 muajsh nga hapja e tenderit 364 milionë Euro për ndërtimin e autostradës Milot-Balldre, koncesioni është anuluar zyrtarisht.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes një njoftimi zyrtar, informon se shkak për anulimin është bërë mosparaqitja e asnjë oferte të përshtatshme.
“Asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”, njofton Ministria e Infrastrukturës.
Kompanitë që kishin aplikuar, janë njoftuar për skualifikimin e tyre nga gara.
Tenderi që ishte shpallur për ndërtimin e kësaj autostrade do të kishte një vlerë prej 364 milionë Euro pa TVSH dhe kohëzgjatja do të ishte për 35 vite.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.