Vendosni fjalën kyçe....

Pezullohet AKU, ngrihet komision vlerësimi për inspektorët


Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që nuk janë të planifikuara apo të miratuara paraprakisht.

Paralelisht, është ngritur një Komision i Posaçëm me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, për rivlerësimin e inspektorëve ekzistues dhe përzgjedhjen e aplikantëve të rinj.

Vendimi pason kritikat e kryeministrit Rama ndaj AKU-së dhe synon të sjellë një etikë dhe qasje të re në institucion.

“…Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara. Ky urdhër njëkohësisht ka në bazë edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë, unë këtu dua të falenderoj mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili në përbërje të këtij komisioni do të ketë tre anëtarë dhe do të kryesohet nga profesor Iliri. Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së. 

Aplikantët e rinj, të cilët do t’i bashkohen kësaj trupe, do të jenë gjithashtu fokus i veprimtarisë së këtij komisioni për të sjellë në këtë institucion një frymë të re, një qasje të re dhe mbi të gjitha. një etikë të re. Ky proces do të ketë jo vetëm një analizë të gjithë masave dhe gjithë proceseve të shkuara, por dhe një testim dhe një vlerësim të potencialit tuaj individual në frymë të punës.”, u shpreh Denaj.