
Banorët e Thethit kanë protestuar sot kundër aksionit për lirimin e hapësirave publike, duke bllokuar rrugën hyrëse të fshatit dhe duke u përplasur verbalisht me forcat e policisë. Ata kundërshtojnë ndërhyrjen që prek disa prona, të cilat i konsiderojnë si burim jetese dhe pjesë e trashëgimisë së tyre familjare.
“Nuk kemi bërë asnjë krim, vetëm kemi ndërtuar në shtëpitë e të parëve tanë për të ofruar një shërbim. Kjo që po bën shteti shqiptar është një masakër ndaj nesh. Ne po kërkojmë gjënë më minimale dhe po na mohohet. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, u shpreh një prej protestuesve.
Policia paralajmëroi penalizime për bllokimin e rrugës, por banorët nuk u tërhoqën. Në mbështetje të tyre dolën edhe disa turistë italianë që ndodheshin në zonë. Dy prej tyre u shprehën se Thethi duhet të ruajë shpirtin natyror dhe se janë kundër betonizimit të tij.

“Marrim pjesë me ju në protestën tuaj, sepse ajo që është e juaja duhet të mbetet e juaja.
Kemi mbetur pa fjalë nga kjo bukuri e kësaj zone, e cila duhet të mbetet në këtë shpirt që përçon.
Nëse luftoni me ata që sjellin beton, jemi në anën tuaj”, kanë deklaruar ata.
Një tjetër banor në protestën në Theth, thotë se është padrejtësi që shteti ka ndërhyrë në shembjen e objekteve në kulmin e sezonit.
“Ne jemi dakord që shteti të bëjë punën e vet. Por jo në këtë mënyrë në kulmin e sezonit. Ne po na merrni përpara padrejtësisht. Unë nuk njoh ligje shteti, por shteti s’më njeh mua dhe nuk ekzistoj fare këtu se ky popull po të ekzistonte këtu nuk do të kishte ardhur kjo ditë.
Nuk kemi asnjë lloj pronësie dhe asnjë lloj gjëje. Jemi krejt si kaçak të malit. Do ju lutesha sa më qetë me popullin që të mos bëjmë konfrontime.
Janë njerëz të kulturuar se po durojnë tepër veprimet tuaja. Ju lutem shumë me banorët e fshatit Theth mos bëni konfrontim.
Ligjet ne i zbatojmë, por kur erdhi kryeministri Rama këtu, i tha hapur ndërtoni në pronat tuaja. Tani nga doli kjo, ku të shkojmë të mbytemi në ujë, edhe ujë ka pak këtu.
Më mirë të na marrin shpirtin. E di se ju keni detyrën e shtetit, por edhe ne do mbrojmë pasurinë tonë. Ta kalojmë vëllazërisht, të merremi vesh edhe të qetësojmë gjakrat.
Ai ndërtim që është pa kriter, le të shembet por jo të gjitha mbarë. Pa njoftim në kulmin e sezonit. Ne po çorodisim gjithë botën.”, u shpreh banori.