
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga shëtitorja e Lungomares në Vlorë, ku duket se trotuaret janë çliruar nga tavolinat dhe karriget që më parë zinin hapësirën publike. Sipas Ramës, kjo është pasojë e zbatimit të aksionit për lirimin e hapësirave publike, i paralajmëruar prej tij disa ditë më parë.
“Kështu doli në dritë Lungomarja, thjesht duke hequr barrikadat absurde dhe frymën kioskëzuese,” shkruan Rama në postimin e tij, duke vlerësuar angazhimin e bizneseve që, sipas tij, kanë respektuar thirrjen për të liruar trotuaret.
Kryeministri thekson se tashmë hapësira u përket të gjithëve: qytetarëve, vizitorëve, turistëve dhe vetë bizneseve, të cilat, siç shprehet ai, janë “tërhequr qytetarisht në zonën e tyre”.
Ky veprim vjen në kuadër të një nisme më të gjerë për sistemimin dhe rregullimin e hapësirave publike në qytetet bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.