Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron valë dorëheqjesh në Fier dhe Durrës: Vetëpastrimi i brendshëm, domosdoshmëri për transformimin e qyteteve


 

Pas dorëheqjeve të disa drejtorëve në Vlorë, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se e njëjta situatë pritet të ndodhë edhe në Fier dhe Durrës.

Në një komunikim të radhës në rrjetet sociale, Rama tha se këtë pasdite do të ndodhet në këto dy qarqe për të vijuar, sipas tij, procesin e vetëpastrimit të brendshëm, të cilin e cilësoi një domosdoshmëri.

“Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje: një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Kjo është një domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha si një realitet në transformim të vazhdueshëm,” deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se për të përballuar sfidat e reja që shoqërojnë zhvillimin dhe transformimin urban, kërkohen “sy të freskët, një përpjekje e shtuar dhe një hov i ri”.

Ai nënvizoi se qytetet si Fier dhe Durrës, me mbështetje të fortë për Partinë Socialiste ndër vite, kanë nevojë për drejtues të rinj që të sjellin më shumë cilësi jete për banorët.

“Dymbëdhjetë mandatet në Fier janë histori e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështetës tanë në zonë dhe në diasporë, që kërkojnë të vazhdojnë të shkruhen si një kapitull i ri. Ky kapitull ka nevojë për më shumë cilësi jete,” u shpreh Rama.

Këto deklarata vijnë në vijim të masave që qeveria ka ndërmarrë për të shkarkuar ose zëvendësuar drejtues vendorë në zona të ndryshme të vendit, duke theksuar nevojën për rifreskimin e strukturave dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Ndërkohë, në një reagim të mëparshëm lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit, Rama bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë do të kërkojë hetim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për veprimet e Prokurorisë së Shkodrës.