
Numri i të vdekurve nga përmbytjet katastrofike në Teksas arriti në 67 të dielën, përfshirë 21 fëmijë, ndërsa kërkimi për vajzat e zhdukura nga një kamp veror hyri në ditën e tretë.
Larry Leitha, Sherifi i Qarkut Kerr në Texas Hill Country, epiqendra e përmbytjeve, tha se numri i të vdekurve në Qarkun Kerr kishte arritur në 59, përfshirë 21 fëmijët, shkruan Reuters.
Leitha tha se 11 vajza dhe një këshilltar mbetën të zhdukur nga një kamp veror pranë lumit Guadalupe, i cili doli nga shtrati pasi shirat e rrëmbyeshëm ranë në zonën qendrore të Teksasit të premten, festën e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Një zyrtar i Qarkut Travis tha se katër persona kishin vdekur nga përmbytjet atje, me 13 të zhdukur, dhe zyrtarët raportuan një tjetër vdekje në Qarkun Kendall. Zyra e Sherifit të Qarkut Burnet raportoi dy viktima. Një grua u gjet e vdekur në makinën e saj të zhytur në qytetin e San Angelos në Qarkun Tom Green, tha shefi i policisë.
Leitha tha se kishte 18 të rritur dhe katër fëmijë që ende prisnin identifikimin në Qarkun Kerr. Ai nuk tha nëse këta 22 individë ishin përfshirë në numrin e të vdekurve prej 59.
Zyrtarët thanë të shtunën se më shumë se 850 persona ishin shpëtuar, përfshirë disa që mbaheshin pas pemëve, pasi një stuhi e papritur solli deri në 38 cm shi në të gjithë rajonin, rreth 140 km në veriperëndim të San Antonios. Nuk ishte e qartë saktësisht se sa njerëz në zonë ishin ende të zhdukur.
