
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 mbeten ende aktive, sipas të dhënave nga strukturat e Mbrojtjes Civile. Vatrat janë regjistruar në bashkitë Elbasan, Finiq, Tiranë, Vorë, Durrës, Fier, Kuçovë, Poliçan, Has, Vau i Dejës, Mat dhe Mirditë.
Vatrat aktive:
Elbasan: Në vendgrumbullimin e mbetjeve po vijon puna për shuarjen e plotë të flakëve. Janë hedhur inerte dhe është bërë kapsulimi i mbetjeve. Një grup ekspertësh po mat ndotjen e ajrit. Operacionet do të vazhdojnë edhe sot.
Finiq: Ndërmjet fshatrave Grazhdan dhe Malçan. Situata është më e qetë, ndërsa zjarri po monitorohet nga forcat zjarrfikëse dhe punonjës të shërbimit pyjor.
Tiranë: Në fshatin Bulticë, njësia Vaqarr, zjarri ka përfshirë një zonë me shkurre dhe ferra. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja bëhet nga toka dhe nga ajri me helikopterin “Cougar”.
Has: Në zonën malore midis fshatrave Gjinaj dhe Domaj, në një sipërfaqe me pyje pishe. Puna vijon pavarësisht kushteve të vështira të terrenit dhe erës së fortë.
Dëmet materiale:
Fier: Në fshatin Seman i Ri, një banesë u përfshi nga flakët. Pronari u dërgua në spital dhe banesa pësoi dëme të konsiderueshme në orendi dhe pajisje shtëpiake.
Vorë: Në fshatin Fushë Prezë, një hangar me bar u dogj, duke shkaktuar djegien e 1,600 dëngjeve me bar. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet.
Forcat e angazhuara në terren:
21 automjete zjarrfikëse
190 forca operacionale
35 efektivë të Forcave të Armatosura
2 mjete zjarrfikëse ushtarake
4 kamionë vetëshkarkues
1 traktor me zinxhirë
1 helikopter Cougar
1 grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit
29 automjete të firmave private
Parashikimi i motit dhe rreziku nga zjarret:
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohen reshje lokale të dobëta në disa qarqe, por rreziku për zjarre mbetet i LARTË në pjesën më të madhe të territorit. Vetëm në qarqet Durrës, Korçë dhe Vlorë rreziku parashikohet “i moderuar”, me zona lokale me rrezik “të lartë”.
Thirrje për qytetarët:
Në këto ditë me temperatura të larta, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse në rast të zbulimit të flakëve apo tymit.