
Kuvendi i Shqipërisë ka përfunduar zyrtarisht legjislaturën e dhjetë parlamentare, duke mbyllur një cikël katërvjeçar të karakterizuar nga reforma të thella dhe përparime të ndjeshme në fusha të ndryshme.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në një mesazh përmbyllës drejtuar qytetarëve dhe deputetëve, bëri një bilanc të punës së kryer gjatë kësaj periudhe, duke theksuar sfidat e përballuara dhe arritjet e shënuara.
Spiropali u shpreh se gjatë këtyre katër viteve Kuvendi zhvilloi 189 seanca plenare dhe miratoi 521 ligje, duke i cilësuar këto si rezultate që dëshmojnë për intensitetin dhe rëndësinë e kësaj legjislature.
Ajo theksoi se reforma në drejtësi ka qenë një ndër arritjet më të mëdha, me vendosjen e themeleve të reja të sistemit gjyqësor, me vijimin e procesit të vetingut dhe nisjen e punës nga institucionet e reja të drejtësisë.
Sipas saj, kjo reformë ka shënuar një kthesë të rëndësishme historike, duke e vendosur përfundimisht parimin se askush nuk është mbi ligjin.
Kryeparlamentarja vlerësoi gjithashtu përparimet e ndjeshme që Shqipëria ka bërë në procesin e integrimit europian, duke kujtuar se vendi ka hapur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian dhe ka përfunduar me sukses procesin e analizës së legjislacionit, çka e ka bërë pjesë aktive të tryezës europiane.
Ajo shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt objektivit madhor të anëtarësimit të plotë në BE, që mbetet një prioritet strategjik për vendin.
Një tjetër element që Spiropali solli në vëmendje ishte digjitalizimi i shërbimeve publike, i cili, sipas saj, ka transformuar mënyrën se si qytetarët marrin shërbime dhe bashkëpunojnë me administratën.
Ajo theksoi se kjo ka rritur transparencën, ka reduktuar burokracinë dhe ka përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në fjalën e saj, Spiropali ndaloi edhe te reformat sociale dhe ekonomike që, sipas saj, kanë kontribuar në krijimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të përfshirë.
Rritja e pagave, mbështetja për shtresat në nevojë, si dhe investimet në arsim dhe shëndetësi janë shembuj të përpjekjeve që, sipas saj, kanë sjellë përmirësime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë. Ne nuk jemi të verbër përballë problemeve dhe sfidave që ende prekin jetën e qytetarëve tanë. Por është e padiskutueshme se Shqipëria sot është një vend më i mirë, më i zhvilluar, më i drejtë dhe më pranë familjes europiane sesa katër vite më parë,” u shpreh Spiropali.
Ajo falënderoi të gjithë deputetët për kontributin e dhënë, pa dallime politike, si dhe qytetarët për mbështetjen, pjesëmarrjen dhe kritikat që, sipas saj, janë thelbësore për funksionimin e një demokracie të shëndetshme.
Spiropali u shpreh e bindur se legjislatura e ardhshme, e cila nis në shtator, do të jetë historike dhe do të fokusohet në përmbushjen e objektivit të përbashkët: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Ky është një qëllim që kërkon përkushtim, unitet dhe vizion. Jam e bindur që do t’ia dalim. Ju uroj të gjithëve pushime të mbara dhe na priftë e mbara në rrugëtimin e përbashkët që na pret,” përfundoi Spiropali.