
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të martën se do ndërpresë miliarda dollarë subvencione që kompanitë e Elon Musk marrin nga qeveria federale, në një përshkallëzim midis presidentit dhe njeriut më të pasur në botë, dikur aleatë të ngushtë.
Grindja u rigjallërua të hënën kur Musk, i cili shpenzoi qindra miliona për rizgjedhjen e Trump, ripërtëriu kritikat ndaj projektligjit të Trump për uljen e taksave dhe shpenzimeve, i cili do eliminonte subvencionet për blerjet e automjeteve elektrike që i kanë sjellë dobi Teslas, prodhuesit kryesor të automjeteve elektrike në SHBA. Ky projektligj kaloi në Senat me një diferencë të ngushtë mesditën e së martës.
“Ai është i mërzitur që po humbet porosinë për automjetet elektrike dhe është shumë i mërzitur për gjërat, por mund të humbasë shumë më tepër se kaq,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën.
Bizneset e Musk, veçanërisht Tesla dhe SpaceX, varen shumë nga një sërë kontratash, politikash, subvencionesh dhe kredish federale që u kanë siguruar kompanive dhjetëra miliarda dollarë të ardhura gjatë viteve. Disa nga këto përfitime për Teslan, duke përfshirë kreditë tatimore të konsumatorëve për blerjet e automjeteve elektrike, ishin tashmë në bllokun e prerjes në projektligjin e taksave të Trump. Aksionet e Teslas ranë më shumë se 4% në tregtimin e pasdites të martën, shkruan Reuters.
Kreu i Teslas përsëriti kërcënimet për të themeluar një parti të re politike dhe për të shpenzuar para për të rrëzuar kongresmenët që mbështesin projektligjin e taksave, pavarësisht fushatës për kufizimin e shpenzimeve qeveritare. Republikanët kanë shprehur shqetësim se grindja e vijueshme e Musk me Trump mund të dëmtojë mundësitë e tyre për të mbrojtur shumicën e tyre në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres të vitit 2026.
Sekretari i Thesarit Scott Bessent kundërshtoi kritikat e Musk se projektligji do rriste deficitin, duke thënë: “Unë do kujdesem pë” financat e vendit.
Musk drejtoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), që synonte uljen e shpenzimeve qeveritare, përpara se të tërhiqej nga përfshirja e tij në fund të majit. Trump në Truth Social të martën sugjeroi që Musk mund të merrte më shumë subvencione “se çdo qenie njerëzore në histori, deri tani”, duke shtuar: “Mjaft me lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do kursejë shumë dollarë “.
Trump më vonë e forcoi qëndrimin, duke u thënë gazetarëve me një buzëqeshje: “DOGE është përbindëshi që mund të duhet të kthehet dhe ta hajë Elonin”.
Në përgjigje të kërcënimeve të Trump, Musk tha në platformën e tij të mediave sociale X: “Unë po them fjalë për fjalë NDËRPRITINI TË GJITHA. Tani”.
Ai më vonë shtoi se mund ta përshkallëzonte shkëmbimin me Trump, por tha: “Do përmbahem për momentin”.
Grindja mund të krijojë sfida të reja për perandorinë e biznesit të Musk, veçanërisht pasi prodhuesi i automjeteve elektrike – burimi i tij kryesor i pasurisë – ka vënë bast shumë në suksesin e programit të tij robotaxi që aktualisht po testohet në Austin të Teksasit. Shpejtësia e zgjerimit të robotaxi të Teslas varet shumë nga rregullimi shtetëror dhe federal i automjeteve vetëdrejtuese.
“Thelbi i vlerësimit të Teslës tani bazohet në progresin drejt autonomisë. Nuk mendoj se do ndodhë diçka në këtë front, por ky është rreziku”, tha Gene Munster, partner menaxhues në investitorin e Teslas, Deepëater Asset Management.
Armëpushimi ishte jetëshkurtër, me Musk të shtunën që e quajti projektligjin e taksave “krejtësisht të çmendur dhe shkatërrues” në një postim në X. Ai tha se ligjvënësit që votuan për projektligjin pasi bënë fushatë për shkurtimin e shpenzimeve “do humbasin zgjedhjet e tyre paraprake vitin e ardhshëm nëse kjo është gjëja e fundit që unë bëj në këtë Tokë”.
I pyetur nëse do dëbonte Musk, një shtetas të natyralizuar amerikan, Trump u tha gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë të martën: “Nuk e di. Do duhet ta shqyrtojmë.”