
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se ka hyrë zyrtarisht në fuqi marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore. Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se ky zhvillim sjell një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë që kanë punuar në të dy vendet.
“Marrëveshja garanton njohjen e viteve të punës për efekt pensioni, edhe kur ato janë realizuar jashtë atdheut,” shkruan Kryeministri.
Sipas tij, kjo është një arritje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e emigrantëve shqiptarë dhe italianë, duke u njohur kontributet e dhëna në të dy shtetet dhe duke forcuar drejtësinë sociale për të gjithë ata që kanë punuar në më shumë se një vend.
Zbatimi i marrëveshjes pritet të lehtësojë procesin e përfitimit të pensioneve për qytetarët që kanë emigruar apo që kanë patur periudha të ndryshme pune në Shqipëri dhe Itali.