Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet për në 11 korrik seanca në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion për Vangjush Dakon


Seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, është shtyrë për herë të disatë.

Dako nuk u paraqit në gjykatë dhe u përfaqësua nga avokati i tij i ri, pas revokimit të mbrojtjes nga avokati i mëparshëm, një ndryshim që solli kërkesë për kohë për njohjen me aktet.

Gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet më 11 korrik në orën 13:00.

Përfaqësuesi i SPAK Sotir Kllapi tha:

“Ky proces është ngritur nga ankimi i të pandehurit dhe duhet të kemi parasysh që gjykimi në Apel ka disa afate të përcaktuar në ligj. Sa i takon avokatëve të tjerë që mungojnë e shikojmë të pajustifikuar”.

Dako u dënua në shkallën e parë me 2 vjet e 8 muaj burg për shpërdorim detyre dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike.

Ai ndodhet në arrest shtëpie prej shkurtit 2024 dhe ka ankimuar vendimin, duke kërkuar pafajësinë.

Hetimet e SPAK lidhen me miratimin e lejes së ndërtimit në mënyrë të paligjshme për shoqërinë “Fakle sh.p.k”, me dokumente të përgatitura pas përfundimit të ndërtimit dhe banimit të banorëve.