Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të udhëtojë drejt Uashingtonit që të dielën, për një takim të rëndësishëm me presidentin amerikan Donald Trump të hënën, në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e cila ka hyrë në muajin e 21-të, përcjell YNetNews.

Vizita e planifikuar në Shtëpinë e Bardhë pritet të avancojë pas shtimit të presionit nga SHBA ndaj qeverisë izraelite për të pranuar një marrëveshje që mund të hapë rrugën për paqe dhe zbutjen e krizës humanitare në Rripin e Gazës. Burime nga Uashingtoni kanë konfirmuar se takimi me Trump është planifikuar për të hënën, megjithëse agjenda ende nuk është zyrtarizuar plotësisht.

Kjo do të jetë takimi i tretë mes Netanyahu-t dhe Trump-it që prej rikthimit të këtij të fundit në Shtëpinë e Bardhë në janar. Zyrtarë izraelitë kanë bërë të ditur se takimi mund të jetë vendimtar për përcaktimin e hapave të ardhshëm në luftë. Nëse bisedimet nuk sjellin përparim në çështjen e pengjeve, ekziston mundësia që Izraeli të thellojë më tej fushatën ushtarake në Gaza.