
Ushtria izraelite urdhëroi të dielën evakuimin e banorëve nga zona të veriut të Gazës, përpara një faze të re përshkallëzimi të luftës kundër Hamasit, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për përfundimin e luftës dhe kthimin e pengjeve izraelite.
“Arrini marrëveshjen në Gaza, ktheni pengjet”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social herët në mëngjesin e së dielës, përcjell Reuters.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të zhvillojë më vonë gjatë ditës bisedime mbi ecurinë e ofensivës izraelite.
Një zyrtar i lartë i sigurisë tha se ushtria do ta informojë atë se fushata është afër përmbushjes së objektivave të saj, por do të paralajmërojë se zgjerimi i luftimeve në zona të reja të Gazës mund të rrezikojë jetën e pengjeve të mbetura izraelite.
Në një deklaratë të postuar në platformën X dhe nëpërmjet mesazheve me tekst drejtuar banorëve, ushtria u kërkoi banorëve të veriut të Gazës të zhvendosen drejt jugut, në zonën Al-Mawasi në Khan Younis, e cila është shpallur si “zonë humanitare”.
Megjithatë, zyrtarë palestinezë dhe të OKB-së theksojnë se “asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt”.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit po veprojnë me forcë ekstreme në këto zona, dhe operacionet ushtarake do të përshkallëzohen, intensifikohen dhe zgjerohen drejt perëndimit, në qendër të qytetit, për të shkatërruar kapacitetet e organizatave terroriste”, thuhej në deklaratë.
Urdhri për evakuim përfshin zonën e Jabalias dhe shumicën e lagjeve të qytetit të Gazës.
Banorët dhe punonjësit mjekësorë raportuan për bombardime të ashpra gjatë orëve të para të mëngjesit në Jabalia, ku disa shtëpi u shkatërruan dhe të paktën gjashtë persona humbën jetën.
Në Khan Younis, në jug të Gazës, pesë persona u vranë nga një sulm ajror që goditi një kamp me çadra pranë zonës Al-Mawasi, sipas burimeve mjekësore.
Përpjekje të reja për armëpushim
Përshkallëzimi i dhunës vjen në një kohë kur Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, kanë nisur përpjekje të reja për arritjen e një armëpushimi që do t’i jepte fund konfliktit 20-mujor dhe do të siguronte lirimin e pengjeve izraelite dhe të huaja që ende mbahen nga Hamasi.
Interesi për zgjidhjen e konfliktit në Gaza është shtuar edhe pas bombardimeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Një zyrtar i Hamasit i tha Reuters-it se grupi i ka informuar ndërmjetësit se është i gatshëm të rifillojë bisedimet për armëpushim, por theksoi se çdo marrëveshje duhet të përfshijë përfundimin e luftës dhe tërheqjen izraelite nga Rripi i Gazës.
Hamasi ka shprehur gatishmërinë për të liruar pengjet e mbetura, rreth 20 persona që besohet se janë ende gjallë, vetëm nëse përfundon lufta.
Izraeli ka deklaruar se lufta mund të ndalet vetëm nëse Hamasi çarmatosej dhe shpërbëhej, diçka që Hamasi e ka refuzuar kategorikisht.
Lufta aktuale shpërtheu në tetor të vitit 2023, kur Hamasi kreu një sulm ndaj Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke marrë 251 pengje, sipas shifrave izraelite.
Si përgjigje, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 56.000 viktima palestineze, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit.